Më 24 prill 2026, në ambientet e Qendrës për Zhvillim të Rajonit Planor Jugperëndimor në Strugë, u mbajt takim informues kushtuar reformave në kuadër të Projektit për Administrimin e Sigurimit Social (SIAP), organizuar nga Ministria për Politikë Sociale, Demografi dhe të Rinj në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillim të Rajonit Planor Jugperëndimor.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Ministrisë për Politikë Sociale, Demografi dhe të Rinj, përfaqësues të njësisë projektuese të MSPDR-së, kryetari i Komunës së Makedonski Brodit, përfaqësues të vetëqeverisjes lokale, si dhe anëtarë të këshillave për mbrojtje sociale në nivel lokal. Në takim morën pjesë gjithsej 19 pjesëmarrës, prej të cilëve 9 gra dhe 10 burra, ndërsa 2 prej tyre ishin persona me aftësi të kufizuar.
Gjatë takimit u prezantuan reformat kryesore që po zbatohen në kuadër të SIAP, përfshirë:
- krijimin e Regjistrit të Vetëm të Sigurimit të Detyrueshëm Social (SURS),
- krijimin e Sistemit të Vetëm për Vlerësimin e Aftësisë së Kufizuar përmes Trupit Qendror Koordinues për Vlerësim të Personave me Aftësi të Kufizuar (CDCCU),
- reformën e sistemit për punësimin e personave me aftësi të kufizuar,
- reformën e profesioneve me rrezik dhe pensionimit të parakohshëm.
Takimin e hapi znj. Drita Asllani, këshilltare shtetërore në Ministrinë për Politikë Sociale, Demografi dhe të Rinj, e cila prezantoi proceset reformuese dhe rëndësinë e tyre për modernizimin e sistemit të mbrojtjes sociale përmes digjitalizimit, integrimit të institucioneve dhe thjeshtimit të procedurave administrative.
Më tej, znj. Elena Koçoska prezantoi komponentin lidhur me sistemin unik për vlerësimin e aftësisë së kufizuar përmes CDCCU-së, si dhe reformat që lidhen me punësimin e personave me aftësi të kufizuar, me fokus në rehabilitimin profesional dhe përfshirjen më të mirë në tregun e punës.
Në pjesën lidhur me Regjistrin e Vetëm të Sigurimit të Detyrueshëm Social (SURS), prezantimi u fillua nga znj. Irena Karakashev dhe u vazhdua nga znj. Arlinda Balazhi, ku u theksua roli i sistemit në shkëmbimin dhe integrimin e të dhënave, digjitalizimin e proceseve dhe rritjen e efikasitetit administrativ.
Gjatë diskutimit, pjesëmarrësit shprehën interes për zbatimin e reformave në nivel lokal, ndanë përvoja praktike dhe ngritën çështje që lidhen me funksionimin e sistemeve të reja dhe ndikimin e tyre në shërbimet ekzistuese sociale. U theksua nevoja për koordinim më të mirë, informim shtesë dhe forcim të kapaciteteve në nivel lokal.
Takimi kontribuoi në kuptim më të mirë të reformave dhe konfirmoi rëndësinë e komunikimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale për zbatimin e suksesshëm të proceseve reformuese në kuadër të SIAP.