Më 22 prill 2026, në ambientet e Qendrës për Zhvillim të Rajonit Planor Juglindor në Strumicë, u mbajt takim informues kushtuar reformave në kuadër të Projektit për Administrimin e Sigurimit Social (SIAP), organizuar nga Ministria për Politikë Sociale, Demografi dhe të Rinj në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillim të Rajonit Planor Juglindor.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Ministrisë për Politikë Sociale, Demografi dhe të Rinj, përfaqësues të njësisë projektuese të MSPDR-së, përfaqësues të vetëqeverisjes lokale, anëtarë të këshillave për mbrojtje sociale në nivel lokal, si dhe përfaqësues të Shoqatës së qytetarëve Qendra për Hulumtime dhe Analiza “NOVUS”.
Gjatë takimit u prezantuan reformat kryesore që po zbatohen në kuadër të SIAP, përfshirë:
- krijimin e Regjistrit të Vetëm të Sigurimit të Detyrueshëm Social (SURS),
- krijimin e Sistemit të Vetëm për Vlerësimin e Aftësisë së Kufizuar përmes Trupit Qendror Koordinues për Vlerësim të Personave me Aftësi të Kufizuar (CDCCU),
- reformën e sistemit për punësimin e personave me aftësi të kufizuar,
- reformën e profesioneve me rrezik dhe pensionimit të parakohshëm.
Takimin e hapi znj. Drita Asllani, këshilltare shtetërore në Ministrinë për Politikë Sociale, Demografi dhe të Rinj, e cila prezantoi proceset reformuese dhe rëndësinë e tyre për modernizimin e sistemit të mbrojtjes sociale përmes digjitalizimit, integrimit të institucioneve dhe thjeshtimit të procedurave administrative.
Më tej, znj. Elena Koçoska prezantoi komponentin lidhur me krijimin e sistemit unik për vlerësimin e aftësisë së kufizuar përmes CDCCU-së, ndërsa znj. Irena Karakashev prezantoi Regjistrin e Vetëm të Sigurimit të Detyrueshëm Social (SURS) dhe rolin e tij në shkëmbimin e të dhënave dhe rritjen e efikasitetit administrativ.
Gjatë diskutimit, pjesëmarrësit ndanë përvoja praktike dhe hapën çështje që lidhen me zbatimin e reformave në nivel lokal, funksionimin e sistemeve të reja dhe qasjen në të dhëna për personat me aftësi të kufizuar. U theksua nevoja për koordinim më të mirë, informim shtesë dhe forcim të kapaciteteve në nivel lokal.
Takimi kontribuoi në kuptim më të mirë të reformave dhe konfirmoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe komunikimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale për zbatimin e suksesshëm të proceseve reformuese në kuadër të SIAP.
Galeria:
