Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, zhvilloi takim pune me përfaqësues të Bankës Botërore, znj. Manuela Sofia Stankulesku, specialiste për mbrojtjen sociale dhe udhëheqëse e ekipit, znj. Marijana Jasareviq, specialiste e lartë për mbrojtjen sociale, znj. Sanela Ljuca, zyrtare e lartë operative dhe znj. Georgiana Blaj, specialiste për mbrojtjen sociale, në kuadër të të cilit u diskutua për statusin e realizimit të Projektit për Administrimin e Sigurimit Social (SIAP), aktivitetet prioritare dhe hapat vijues në zbatimin e tij.

“SIAP”- përfaqëson projekt të rëndësishëm reformues, i cili përfshin një sërë aktivitetesh sistemike të orientuara drejt avancimit të sistemit të sigurimit të detyrueshëm social, sistemit për vlerësimin e aftësisë së kufizuar, rehabilitimit profesional dhe mbështetjes për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, si dhe avancimit të sistemit të ndërlidhur me vendet e punës dhe profesionet me rrezik të shtuar, për të cilat njihet stazh sigurimi me kohëzgjatje të shtuar.

Gjatë periudhës së kaluar është arritur përparim i konsiderueshëm në realizimin e aktiviteteve projektuese. Është krijuar Drejtoria e Administrimit të Regjistrit të Sigurimit të Detyrueshëm Social, ndërkaq, zhvillimi i zgjidhjes softuerike për sigurimin e detyrueshëm social është në fazën përfundimtare. Është zbatuar edhe digjitalizimi i arkivit të Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, me ç’rast janë digjitalizuar rreth 53.000 dosje. Njëherësh, është përgatitur projektligji për rregullimin e periudhës së stazhit për të cilën mungon formulari M4 në evidencën amë të Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor.

Në pjesën e sistemit për vlerësimin e aftësisë së kufizuar, ka përfunduar pilotimi i draft-metodologjisë kombëtare për vlerësimin e personave me aftësi të kufizuara, është krijuar Trupi Koordinues për Vlerësimin e Aftësisë së Kufizuar, ndërsa zhvillimi i softuerit për administrimin e sistemit unik të vlerësimit të aftësisë së kufizuar është në fazën përfundimtare.

Më tej, është përpiluar draft-teksti i Ligjit të Rehabilitimit Profesional dhe Mbështetjes për Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara. Është përpiluar edhe propozimi për rishikimin e listës së vendeve të punës dhe profesioneve me rrezik të shtuar, për të cilat njihet stazh sigurimi me kohëzgjatje të shtuar në sektorin privat dhe publik, si dhe specifikimi teknik për zhvillimin e regjistrit të vendeve të punës dhe profesioneve me rrezik të shtuar.

Gjatë periudhës vijuese, aktivitetet do të vazhdojnë me dinamikë të shtuar, me qëllim realizimin e plotë të proceseve të nisura dhe avancimin e mëtejshëm të evidencës së sigurimit të detyrueshëm social, sistemit për vlerësimin e aftësisë së kufizuar, si dhe sistemit për rehabilitimin profesional dhe mbështetjen për punësimin e personave me aftësi të kufizuara.

Ministri Gjoko Vellkovski theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me Bankën Botërore në realizimin e proceseve reformuese, me qëllim krijimin e sistemit më efikas, modern dhe funksional të sigurimit dhe të mbrojtjes sociale, i cili do t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve.